Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se forcat ruse do të përpiqen të bëjnë përparime të mëtejshme në “javët në vazhdim” dhe të përpiqen të krijojnë një “zonë tampon” përgjatë kufirit ukrainas.
Forcat ruse, të cilat kishin bërë vetëm përparime të moderuara në muajt e fundit, nisën një sulm të befasishëm në rajonin e Kharkiv më 10 maj, që ka rezultuar në fitimet e tyre më të mëdha territoriale në një vit e gjysmë.
“Kjo është një luftë e vështirë dhe e rrezikshme, por mbrojtësit e Ukrainës po tregojnë guxim dhe aftësi të jashtëzakonshme. Dhe ata janë duke vënë në përdorim aftësitë që ky grup kontakti ka ofruar”, tha Austin.
Ai kështu u shpreh teksa mbajti fjalën e hapjes në samitin e 22-të të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në formatin Ramstein, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Austin shtoi se ofensiva e re e presidentit rus Vladimir Putin në Kharkiv ka shtuar urgjencën e mbështetjes së perëndimit për Ukrainën, duke thënë se ShBA po i jep Kievit ndihmën e nevojshme.