Gjatë aksionit të 20 majit, Policia e Kosovës tha se mbylli gjashtë objekte të Bankës Postare Kursimore, pasi sipas saj, ato vepronin paligjshëm në veri të vendit.
Zëvendëkryeministri i Serbisë Ivica Daçiq sipas një njoftimi të qeverisë serbe thotë se Albin Kurti, duke bastisur degët e Bankës Postare Kursimore të Serbisë, po vazhdon kinse “terrorin ndaj popullit serb në Kosovë”.
“Kurti vazhdon terrorin e tij kundër popullit serb në Kosovë duke bastisur degët e Bankës Postare Kursimore, deri kur komuniteti ndërkombëtar do ta tolerojë dhunën ndaj serbëve?,” ka thënë Daçiq.
E sipas Daçiq, ky aksion po shkon drejt konflikteve të reja në Ballkan.
“Për Kurtin nuk ia vlen të flitet, por nëse bashkësia ndërkombëtare nuk vjen në vete, e gjithë kjo do të çojë në konflikte të reja në Ballkan me pasoja të pallogaritshme”, paralajmëroi Daçiq.
E po ashtu kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka reaguar në lidhje me këtë aksion duke e quajtur akt barbar.
“Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviq, përcjell N1, raporton Dukagjini.