Situata në Bishkek është stabilizuar në orët e vona të 18 majit, ka thënë policia, pas dhunës së disa grupeve kundër studentëve të huaj, që ka rezultuar me të paktën 29 persona të lënduar, përfshirë persona të huaj.
Kjo situatë ka ndikuar në rritje të tensioneve diplomatike mes Kirgizisë, Pakistanit dhe Indisë.
Korrespodentët e Radios Evropa e Lirë kanë raportuar se situata afër ndërtesave të konvikteve, ku jetojnë të huajt, në pjesën lindore të Bishkekut, është qetësuar më 18 maj, dhe se janë përforcuar masat e sigurisë.
Autoritetet kirgize kanë thënë se Ambasada e Pakistanit dhe një konvikt me të huaj, janë duke u siguruar enkas.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë më 18 maj se 15 prej 29 personave të plagosur në një përleshje, janë dërguar në spitalin e Bishkekut, ndërsa të tjerët janë trajtuar në vendin e ngjarjes.
Kombësia e studentëve të plagosur nuk është bërë e ditur, mirëpo studentët kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se studentët pakistanezë kanë qenë të përfshirë në incident dhe një pjesë e tyre janë të plagosur.
Mediat indiane kanë raportuar se studentët indianë dhe pakistanezë janë plagosur, ndërsa autoritetet indiane kanë thënë se janë duke monitoruar situatën.
Rreth 140 studentë dhe 40 qytetarë pakistanezë janë larguar prej Bishkekut në orët e vona të 18 majit.
Studentët janë pritur prej ministrit të Brendshëm pakistanez, Mohsin Naqvi në Aeroportin Ndërkombëtar të Lahores.
Një aeroplan i dytë me pakistanezë pritet të mbërrijë në Lahore më 19 maj.
Qeveria e Kirgizisë ka thënë se katër shtetas të huaj, të lindur në periudhën 1993-2003, janë arrestuar pas dhunës.
Ata është thënë se janë në mbajtje, pasi po dyshohen për huliganizëm, por nuk dihet më shumë për ta.
Qeveria ka thënë se personat që shpallen fajtorë do të ndëshkohen ndonëse e ja krijuar përshtypjen se fajëson migrantët ilegalë për dhunën.
Ministria e Brendshme e Kirgizisë ka thënë më 18 maj se dhuna është nxitur pas qarkullimit të një videoje të 13 majit nëpër rrjete sociale, në të cilën shihet një grup “njerëzish me pamje aziatike” duke ngacmuar studentët e huaj, dhe duke i ndjekur te konvikti, ku të paktën një student i huaj është sulmuar nga disa burra dhe është tërhequr zvarrë. /REL/