Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, i ka vendosur veton të ashtuquajturit “ligj rus” që ka shkaktuar protesta masive për javë të tëra.
Bëhet e ditur se ligji do t’i kërkonte mediave dhe OJQ-ve të regjistrohen si “ndjekës interesash të një fuqie të huaj”, nëse marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë.
Por, presidentja tha se ajo e konsideron ligjin “të prapranueshëm”, shkruan euronews.
Zourabichvili është gjithnjë e më shumë në kundërshtim me partinë në pushtet të Gjeorgjisë, andaj edhe u shpreh se ligji bie ndesh me kushtetutën e Gjeorgjisë dhe “të gjitha standardet evropiane”.
Por, partia në pushtet ka një shumicë të mjaftueshme për të kapërcyer veton e presidentes dhe pritet ta bëjë këtë ditëve në vijim.
Ndryshe, qeveria gjeorgjiane këmbëngul se ligji synon të promovojë transparencën dhe të frenojë atë që ajo e konsideron të dëmshme, ndikimin e huaj në vendin prej 3.7 milionë banorësh.
Siç raportohet, atë e ka kundërshtuar edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ai tha se legjislacioni bie ndesh me ambiciet e anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE dhe duhet të tërhiqet në tërësi.