Numri i palestinezëve të vrarë në Gaza rritet në afër 35.400

Të paktën 35.386 palestinezë janë vrarë në ofensivën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 79.366 palestinezë të tjerë gjithashtu janë plagosur si pasojë e agresionit të vazhdueshëm izraelit.

“Sulmet izraelite vranë 83 persona dhe plagosën 105 të tjerë në 24 orët e fundit. Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk mund t’i arrijnë ata”, theksoi ministria palestineze.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë të pandërprerë në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Tel Avivi gjithashtu ka vendosur një bllokadë gjymtuese në Rripin e Gazës, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët në Gazën veriore.

Mbi shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë palestineze mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Në një vendim të përkohshëm në muajin janar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me bazë në Hagë tha se “besohet” se Tel Avivi po kryen gjenocid në Gaza, duke e urdhëruar atë të ndalojë aktet e tilla dhe të marra masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në enklavë.