Kurti thoshte se tokat e Manastirit të Deçanit qenë kusht urgjent për anëtarësim në KiE, Kosova sot s’qe as në agjendë
Kosova sot përfundimisht nuk arriti të jetë as pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Mirëpo, për këtë, kryeministri Albin Kurti, rreth dy muaj më parë, kishte deklaruar se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, është në mesin e dy opsioneve të cilën ai vet e miratoi, me qëllimin që Kosova të fitonte ulësen në Këshillin e Evropës.
”Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it që duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje, me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues”, kishte deklaruar Kurti më 13 mars në një mbledhje të Qeverisë.
Sipas deklaratës së kryeministrit ky kusht për tokat e Manastirit të Deçanit, ishte listuar si çështje urgjente.
”Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë se nga shumë kushte që kemi pasur për anëtarësim në Këshill të Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo urgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet”.