Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, deklaron se shkuarja në zgjedhje të reja, është e paraparë me ligj, por se duhet të ketë vullnet politik për këtë temë.
‘’Shkuarja në zgjedhje, të rregullta apo të parakohshme, është e paraparë me ligj, vetëm duhet vullnet politik, dhe vendimi i faktorëve politikë duhet të jetë përtej lojërave politike dhe pozave elektorale’’, deklaron ai.
Ai potencon se nëse të gjithë po thonë se gjendja në Kosovë është nivelin me të keq, atëherë duhet veprim i menjëhershëm dhe të ndalet kjo qeveri.
‘’Nëse të gjithë po pajtohemi se gjendja e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare është në nivelin ku më parë kurrë nuk ka qenë, ka probleme me ligje dhe zbatimin e programit qeveritar me rritjen e varfërisë dhe ikjen enorme të të rinjve, duhet veprim i menjëhershëm, të ndalet ky trend me vendime të guximshme që kanë në thelb interesin e shtetit tonë dhe të qytetarëve’’, potencon Lladrovci.
Lladrovci thotë se zgjedhjet janë zgjidhja në këtë rast, por zgjidhjen mund të i ofrojnë subjektet që i kanë numrat, duke kërkuar nga Vetëvendosje që të e hap këtë mundësi.
‘’Prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja, por, zgjidhje nuk mund të ofrojnë subjektet politike që nuk i kanë numrat, rruga e vetme është të reflektojë ai që e ka mundësinë, pra, partia në pozitë, të hap krah për matjen e forcave dhe të vullnetit politik të qytetarëve, me të dyja mundësitë, sa më parë, aq më mirë’’, përfundon Lladrovci.