Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj ka komentuar dërgimin e letrës nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është në përgatitje të draftstatutit për Asociacionin.
Në një deklarim për media, Kadrijaj ka thënë se veprime të tilla po e dëmtojnë Kosovën, derisa ka potencuar se një letër e tillë nga Gërvalla, nuk mund të jetë më e fuqishme sesa ajo e presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit të Kosovës, të cilët janë zotuar se do ta zbatojnë marrëveshjen e Brukselit edhe aneksin e Ohrit.
“Nuk mundet me qenë një letër zotuese e ministres së Punëve të Jashtme më e fuqishme sesa një letër zotuese që e ka bërë presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri të cilët janë zotuar se në plotni do ta zbatojnë marrëveshjen edhe të Brukselit edhe aneksin e Ohrit në të cilin përfshihet edhe “Zajednica” apo Asociacioni. Ndoshta tash edhe një letër nga ministrja e Punëve të Jashtme, nuk po mundem ta kuptojë nëse do ta dërgojnë apo jo, është çështje ditësh. Megjithatë, e vërteta është se kjo qeveri e ka pranuar Asociacionin, e ka pranuar në plotni marrëveshjen dhe është zotuar se do ta votojë në tërësi…Të gjitha këto veprime po i shkaktojnë dëm Kosovës, këta po sillen ndonjëherë si opozitarë nuk e dinë që janë lidership i vendit dhe kanë përgjegjësi institucionale”, tha Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se nuk do të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit, vetëm në rast se sjellët në Kuvend dorëheqja e qeverisë Kurti.
Mw tej Kadriaj potencoi se ashtu siç është premtuar, do të votojnë për marrëveshjet ndërkombëtare.
“Ne si opozitë kemi kërkuar më herët që ta kemi një konsension për çështjet nacionale ndërsa zotri Kurti nuk e ka bërë atë dhe tani kur sharra i ka hasur në gozhdë kërkon një lloj konsensusi dhe i fton liderët e partive politike dhe arsyeja pse i ka ftuar është të diskutojnë për agjendë legjislative. Me agjendë legjislative s’ka qenë fare nevoja të merret zotri Kurti, kanë mundur të merren kryetari i Kuvendit dhe Shefat e Grupeve parlamentare të diskutojnë… Zotëri Kurti dhe kjo qeverisje është e dështuar. Ne kemi kërkuar që të dorëhiqet kjo qeveri dhe jo të ndodhë shkarkimi ose shpërbërja e Kuvendit. Nuk do ta votojmë shpërbërjen e Kuvendit, do ta votojmë nëse sjellët në Kuvend dorëheqja e qeverisë Kurti”, potencoi Kadrijaj./kp/