Qeveria irlandeze njoftoi këtë të mërkurë se dëshiron të rrisë moshën minimale ligjore për blerjen e duhanit në 21 vjeç, krahasuar me 18 vjeç aktualisht.
Nëse propozimi miratohet, Irlanda do të jetë vendi i parë në Bashkimin Evropian që prezanton një masë të tillë.
Qeveria irlandeze prezantoi një projektligj që “e bën më të vështirë për të rinjtë blerjen e produkteve të duhanit, sepse të dhënat tregojnë se ekziston një rrezik i lartë për t’u bërë duhanpirës nga mosha 18 deri në 21 vjeç”, thuhet në një deklaratë.
“Është një masë drastike, por ndikimi i duhanit në shëndet është i madh dhe kërkon përgjigje drastike”, tha ministri Stephen Donnelly.
Qeveria pretendon se duhani shkakton 4500 vdekje në vit në Irlandën, e cila ka një popullsi prej pesë milionë banorësh dhe shkakton shumë sëmundje të parandalueshme si kanceri, sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.
Shteti i ka vendosur vetes synimin që të reduktojë përqindjen e duhanpirësve në më pak se pesë për qind të popullsisë së rritur, ndërkohë që aktualisht rreth 18 për qind e njerëzve mbi 15 vjeç pinë duhan në vend.
Irlanda ishte tashmë vendi i parë i BE-së që ndaloi pirjen e duhanit në hapësirat e brendshme publike, të tilla si bare apo restorante.
Aktualisht, shitja e duhanit për personat nën moshën 18 vjeç është e ndaluar në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Letonia miratoi së fundmi një ligj që rrit moshën minimale për blerjen e duhanit në 20.