Inaugurimi i Presidentes/ Lideri i partisë nacionaliste greke gris “Prespën”!

Lideri i partisë greke djathtiste-nacionaliste “Zgjidhja greke” dhe deputeti në parlamentin grek, Kirijakos Velopulos, nga foltorja e Kuvendit, ka grisur Marrëveshjen e Prespës.

Ky veprim, sic njoftohet, është bërë si përgjigje ndaj betimit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova, kur gjatë inaugurimit, nuk përmendi emrin kushtetues të vendit – Maqedonia e Veriut.

“Kjo është Marrëveshja e Prespës. Nëse kishim qeveri patriotike e sociale, ajo do ta bënte këtë” – ka deklaruar deputeti grek, duke marrë më pas Gazetën Zyrtare greke me tekstin e marrëveshjes dhe duke e grisur.

“Këtë e meritojnë në Shkup. Vet e grisën. Sillni tani për ratifikim memorandumet e nënshkruara. Nesë të gjithë do t`i hedhim poshtë, për shkak se ata shkelën marrëveshjen, jo ne”, tha Kirjakos Velopulos, deputet grek.

Partia e deputetit grek që grisi Marrëveshjen e Prespës, në zgjedhjet e fundit u rendit e gjashta duke fituar 4.44% të votave dhe 12 mandate deputetësh, kurse në anketat e fundit në Greqi rrejtingu I saj shënon rritje që mbërrinë deri në 7%.

Ndërkohë, shefi I diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis, I cituar nga televizion grek “Skaj” ka deklaruar se Greqia nuk do t`i ratifikojë memorandumet me Maqedoninë e Veriut derisa nuk bindet se tërësisht respektohet Marrëveshja e Prespës./tvklan.mk