Njerëzit obezë në Evropë marrin raport mjekësor 2.5 herë më shpesh sesa njerëzit që nuk janë obezë, sipas hulumtimit të paraqitur në Kongresin Evropian për Obezitetin në Venecia.
Sipas të dhënave të një sondazhi të kryer me 122.598 punëtorë në 26 vende evropiane, sa më të shëndoshë të ishin punëtorët, duke përmendur dhimbje kyçesh, diabeti, depresion apo probleme me zemrën, aq më shumë merrnin raport mjekësor, transmeton britanikja “Times”.
Punëtorët britanikë janë të tretët më të shëndoshë në Evropë dhe pushimi mjekësor është dyfishuar në MB në 10 vitet e fundit, duke ulur produktivitetin e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar me rreth 33 miliardë paund.
Autori kryesor i studimit Siegfried Eisenberg, nga Grupi i Kërkimit të Ekonomisë Shëndetësore dhe Politikës Shëndetësore në Institutin për Studime të Avancuara në Vjenë, tha se mungesat e lidhura me obezitetin ishte “një problem serioz për MB“.
Bashkautori i hulumtimit Tomas Cipionka vuri në dukje se njerëzit obezë “përjashtohen gjithnjë e më shumë nga kontributi në shoqëri” dhe se masat kundër obezitetit janë thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike.
Obeziteti vlerësohet t’i kushtojë Britanisë së Madhe 98 miliardë paund në vit, ose katër për qind të PBB-së, për shkak të reduktimit të produktivitetit dhe kostove për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar kur trajton diabetin dhe kancerin.