“Nuk kemi pretendime ndaj Greqisë” – Rama në takimin me diasporën në Athinë

Kryeministri shqiptar Edi Rama ndodhet në Greqi, ku në një takim të zhvilluar në Athinë tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk mund të “mbyten në një lugë uji që sjell politika e përditshme” dhe se Shqipëria nuk ka pretendime ndaj Greqisë.

Rama më parë ka marrë leje nga autoritetet greke për të zhvilluar një takim me qytetarët shqiptarë. Opozita greke e kundërshtoi vizitën e kryeministrit shqiptar, por Rama mori përfundimisht lejen nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili komentoi se vizita ishte e panevojshme, raporton Euronews.

“Unë mendoj se tema ka marrë pak më shumë publicitet sesa meriton realisht.” Nëse më pyesni nëse koha e kësaj vizite, pak javë para zgjedhjeve evropiane dhe me pyetjet e hapura për minoritetin kombëtar grek në Shqipëri, është koha e duhur, do t’ju them se nuk është saktësisht koha më e përshtatshme. Megjithatë, le të mos i japim më shumë rëndësi”, tha Mitsotakis.

Në takimin me shqiptarët në Athinë, Rama theksoi se ata janë bërë krenaria e Shqipërisë në atë pjesë të Evropës.

Ju jeni prova më e madhe, më e forta, më e bukura e kësaj lidhjeje me miliona fije të pathyeshme të dy popujve”, tha Rama.

Ai tha se shtetasve grekë në Shqipëri nuk u mohohet e drejta e votës për shkak të origjinës së tyre etnike.

“Asnjë nga problemet tuaja nuk është ndryshe nga asnjë problem i qytetarëve të Shqipërisë. Në asnjë rast shteti shqiptar nuk u mohoi grekëve etnikë të drejtën e tyre për fe, gjuhë apo pronë. Asnjëherë nuk iu mohua e drejta për të votuar për shkak të prejardhjes së tyre,” vazhdoi ai.

Rama theksoi se politika duhet të dijë se fatet e Shqipërisë dhe Greqisë janë të pandashëm. Ai u bëri thirrje grekëve që të vijnë në Shqipëri jo vetëm për pushime, por edhe për të investuar.

Grekët ishin, janë dhe do të jenë të mirëpritur në Shqipëri jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar, për të hapur dyqane, për të krijuar kompani, për të hapur linja investimi për të përfituar një regjim taksash shumë më të ulët se në Greqi. “Shqipëria është aq mikpritëse për grekët sa nuk u krijon asnjë problem”, tha Rama.

Ai shtoi se Shqipëria nuk ka pretendime ndaj Greqisë.

“Shqipëria nuk ka pretendime ndaj Greqisë, përveç respektit të ndërsjellë, shqetësimit të ndërsjellë për bashkatdhetarët që jetojnë në dy vendet tona, marrëdhënieve reciproke miqësie dhe fqinjësie të mirë. Dhe jo vetëm kaq, Shqipëria e sheh Greqinë si një partner strategjik natyror, qoftë për çështjet që duhen zgjidhur mes nesh, qoftë për sfidat e mëdha të kësaj epoke të re, mundësitë, por edhe kërcënimet për Ballkanin, Europën dhe botën demokratike. Ne i shohim si një arsye për t’u afruar dhe njohur më mirë me njëri-tjetrin”, tha Rama dhe njoftoi se do të krijohet Dhoma e Tregtisë Shqiptaro-Greke.