Mbrojtja Civile Palestineze thotë se rreth 10 mijë viktima janë nën rrënoja në Gaza

Mbrojtja Civile Palestineze në Gaza ka thënë se rreth 10 mijë viktima janë nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Palestineze, Mahmoud Bassal, ka thënë se ata kanë punuar për muaj të tërë me pajisje të thjeshta, për të cilat tha se iu marrin kohë, por që sipas tij, Izraeli ka shkatërruar deri në 80 për qind të aftësive të grupit.

“Ne kërkojmë që Kombet e Bashkuara dhe grupet humanitare të ndërhyjnë menjëherë për të lejuar hyrjen e pajisjeve të nevojshme të shpëtimit në mënyrë që të vazhdojmë punën tonë, të nxjerrim të zhdukurit nga nën rrënoja dhe të sigurojmë karburantin e nevojshëm për të operuar automjetet e mbrojtjes civile”, tha Bassal, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Tutjë, Bassal tha se Mbrojtja Civile Palestineze dhe stafi mjekësor në Gaza po vazhdojnë të tërheqin trupat e varrosur nga forcat izraelite në varreza masive, teksa ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë të mërkurën se ekipet mjekësore kanë zbuluar varrin e tretë masiv në kompleksin Al-Shifa.

Të shtunën, ministria e shëndetësisë e Gazës tha se 28 njerëz u vranë gjatë 24 orëve të fundit dhe të paktën 34 mijë e 971 njerëz janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori.