Tetova shpall kampionin – Shkëndija apo Struga Trim Lum?!

Të dielën me fillim në ora 17:00, në stadiumin e qytetit në Tetovë në kuadër të xhiros së 32-të kampionatit 2023/2024 në Ligën e Parë të futbollit vendor zhvillohet super derbi Shkëndija – Struga Trim Lum në një ndeshje ku vendoset titulli kampion. Ndeshjet e javës së 32-të  të dielën fillojnë ora  17:00.

Në Stadiumin buzë Sharrit në Tetovë vendoset se kush do të kurorëzohet me titullin e kampionit në sezonin 2023/2024 në Ligën e Parë të Futbollit.

Shkëndija dhe Struga kanë të tubuar nga 61 pikë dhe epilogu i kësaj ndeshjeje padyshim se përcakton kampionin pavarësisht se mbetet edhe një xhiro deri në përfundim të kampionatit.

“Nuk ka përfunduar asgjë, për çfarë duhet të kalojmë në eufori. Nëse kalojmë në eufori besoj se do na kthehet kundër kjo. Kështu që nuk ka vend për me kaluar në eufori, sepse nëse ne gabojmë atëherë  do i humbim të gjitha. E çfarë aa vlejti, asgjë. Gjithë ky mund që erdhëm deri këtu asnjë gjë. Kështu e kalojmë edhe këto dy javë që kanë mbetur të dalim faqe bardhë të ngremë Kupën pastaj tjerat  janë aty” – tha Erald Çinari, futbollist i Shkëndijës.

Për futbollistët e Strugës, përballja me Shkëndinë paraqet motivim shtesë. Epilogun e superfinales, sipas tyre, do ta përcaktojnë nuancat.

 “Normalisht ndeshje derbi ku do vendoset besoj titulli i këtij sezoni. Shkëndija, dihet në Tetovë atmosfera, tifozët, pasi kemi qenë edhe vetë pjesë e Shkëndijës e dimë atmosfera si është. Është e mirë për futbollin e Maqedonisë të ketë më shumë kështu derbi, të vendoset kampionati në kështu derbi, ne do shkojmë të bëjmë maksimumin, të bëjmë gjithçka prej nga ana jonë, pastaj në fund cili të jetë më i mirë t’ia urojmë fitoren” – tha Bunjamin Shabani, kapiten i Struga TL.

Euforia e futbollit ka kapluar Tetovën, por jo vetëm.

Bileta e kësaj ndeshje tashmë është bërë “letra” më e çmuar që mund ta ketë një futbolldashës.

Organizatorëve të ndeshjes, punën ua kanë vështirësuar punimet që zhvillohen në Stadiumin e Tetovës, andaj kapaciteti i tifozëve do të jetë I përgjysmuar.

KF Shkëndija ka bërë thirrje që tifozët më herët të vijnë në stadium kurse biletat do të ndahen sipas tribunave.

Në prag të kësaj ndeshje, s`kishte se si të mungonin tifo-grupi “Ballistët”, të cilët kanë motivuar futbollistët e Shkëndisë, por edhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masovike në stadium.