Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka paralajmëruar Izraelin se SHBA do të ndalojë furnizimin me disa armë nëse nis një operacion të madh të tokësor në Rafah të Gazës. Ai shtoi se do të vazhdojë të sigurohet që Izraeli të jetë i sigurt.
“E kam bërë të qartë se nëse ata shkojnë në Rafah, nuk do të furnizohen me armë nga ana e SHBA”, tha Joe Biden në një intervistë për CNN.
Pavarësisht kundërshtimit të fortë të SHBA-së, Izraeli duket i gatshëm të kryejë një pushtim në shkallë të gjerë të Rafahut. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një operacion në këtë qytet, ku popullsia është shtuar me banorë që janë shpërngulur nga pjesë të tjera të Gazës, mund të çojë në viktima të shumta civile.
“Ne nuk do të furnizojmë me armë dhe predha artilerie. Ia kam bërë të qartë kryeministrit izraelit, Netanyahu dhe kabinetit të luftës se ata nuk do të marrin mbështetjen tonë nëse sulmojnë këtë qendra të populluara”, shtoi Biden.
I pyetur nëse Izraeli kishte kaluar një “vijë të kuqe”, presidenti amerikan u përgjigj “ende jo”. Komentet përbëjnë paralajmërimin më të fortë të presidentit për një pushtim të mundshëm tokësor të Rafahut dhe shënojnë herën e parë që ai ka thënë se SHBA mund të ndalojë dërgesat e armëve amerikane në Izrael.