MPB: Merren masa për zbardhjen e rasteve në Shuto Orizare, Çair, Kumanovë

Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani nuk ka regjistruar shqetësime më serioze të rendit dhe qetësisë publike gjatë votimit, i cili në përgjithësi ka ndodhur në mënyrë të qetë dhe pa probleme, informoi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

“Nga hapja e vendvotimeve deri në ora 11:00 janë regjistruar dy kallëzime për vendosjen e tendave të partive politike pranë një vendvotimi në Shuto Orizarë, si dhe për ngjitjen e afisheve dhe fletushkave të shpërndara në zonën e Çairit në Shkup.

Po merren masa për zbardhjen e rasteve. Raportime për agjitacion kemi edhe në Tetovë, Shkup, fshatin Banicë të Kumanovës, Strumicë dhe komunën e Bogovinës, por pas masave të marra nga zyrtarët policorë ato pretendime deri më tani nuk janë vërtetuar,” tha Angellovski.