Të paktën 6 persona kanë vdekur dhe 48 të tjerë janë shpallur të zhdukur pas shembjes së një ndërtese shumëkatëshe në qytetin George të Afrikës së Jugut.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 (me orën lokale), ndërsa mësohet se janë shpëtuar 26 persona.
Operacioni i shpëtimit vlerësohet të zgjasë katër deri në pesë ditë, me personel të urgjencës 111 në vend, tha të martën qeveria e Kepit Perëndimor.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave, duke thënë: “Mendimet e mia janë me familjet që kanë humbur të dashurit, si dhe familjet e afër 50 personave që janë bllokuar në rrënoja”.