Inflacioni i Turqisë, u rrit në 69.8% në vit për muajin prill, njoftoi të premten Instituti i Statistikave Turke.
Rritjet më të larta vjetore të çmimeve të konsumit, ishin në arsim, me një rritje prej 103,86%, dhe hotelet, kafenetë dhe restorantet, me një rritje prej 95,82%.
Në bazë mujore, inflacioni i Turqisë u rrit me 3.18%, i udhëhequr nga rritja e çmimeve të pijeve alkoolike dhe duhanit, dhe hoteleve, kafeneve dhe restoranteve.
Norma e inflacionit të prillit, shënon rritjen më të lartë vjetore, që nga nëntori 2022, kur inflacioni ishte rreth 85%.
Ndërsa vlera e Indeksit të Çmimeve të Konsumit, rreth 70% në prill, ishte në fakt një rritje më e vogël nga sa prisnin shumë analistë. Por, çdo shpresë për ulje të normave të interesit, është shumë larg, thanë ekonomistët.
Banka Qendrore e Turqisë, ka rritur normën bazë të interesit në 50%, duke përmendur nevojën e vazhdueshme, për të kundërshtuar rritjen e inflacionit në vend. Banka tha në mars, se “qëndrimi i shtrënguar monetar, do të mbahet derisa të vërehet një rënie e ndjeshme dhe e qëndrueshme, në prirjen bazë të inflacionit mujor”.
“Rritja pak më e vogël se sa pritej në inflacion, në 69.8% (konsensus 70.3%), ofron shenja inkurajuese se presionet e çmimeve janë zbutur sërish,” shkruante Liam Peach, ekonomist i lartë i tregjeve në zhvillim në Capital Economics me qendër në Londër.
“Ne mendojmë se inflacioni do të bjerë, në gjysmën e dytë të këtij viti, por nuk jemi aq optimistë për ritmin e dezinflacionit. Në këtë sfond, ne ende nuk presim, që banka qendrore, të kalojë drejt shkurtimeve deri në vitin e ardhshëm. / CNBC/