Gerald Knaus, kryetar i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, (ESI), gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti në Berlin, prill 2024. Foto: Kryeministria e Kosovës
Kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, tha se disa vende, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, po përgatiten të bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KE).
Përmes një postimi në X, Knaus tha se një grup shtetesh po përgatiten të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku thuhet se Kosova i ka plotësuar kriteret për të qenë pjesë e organizatës.
“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten të bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, ka shkruar Knaus, raporton Klankosova.tv.
Sipas tij, një bllokim i tillë vjen pas një fushate të presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, Vuçiq, duke përfshirë thirrjen e tij personale drejtuar presidentit [të Francës, Emmanuel] Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale”, ka shkruar Knaus. /Klankosova.tv