“Rreth 70 për qind e punonjësve të mediave në Maqedoninë e Veriut marrin pagë nën mesataren e pagës që është në shtet”, kanë bërë të ditur drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Sindikata e Pavarur e Mediave, të cilët në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit (3 Maj), e kanë shënuar me një aksion për dhurimin e gjakut.
Paga minimale në Maqedoninë e Veriut është rreth 22.500 denarë (rreth 365 euro), ndërsa mesatarja 39.270 denarë apo rreth 638 euro.
Nga këtu u theksua se pjesa më e madhe e punonjësve në media për shkak të pagave të ulëta, planifikojnë ta braktisin punën e tyre në media.
“Gjendja socio-ekonomike e gazetarëve dhe punonjësve në media, përfundimisht nuk është në nivel të kënaqshëm në Maqedoninë e Veriut. Për këtë me vite faji i lihet faktit se Maqedonia e Veriut është treg i vogël mediatik për të mundësuar funksionimin e pavarur të mediave. Në këtë drejtim do të thosha se një ndihmesë e madhe do të ishte ajo që disa e herë e theksojmë, domosdoshmëria për formimin e një fondi për pluralizëm mediatik”, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.