Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas publikimit të indeksit vjetor për lirinë e medias nga Reporterët pa Kufij, ku këtë vit Kosova renditet si vendi i 75-të në botë nga i 56-të sa ishte vitin e kaluar.
Rohde tha se mediat shpesh përmenden si shtylla e katërt e demokracisë dhe duhet të mbrohen e jo të kontrollohen.
“Në Kosovë, media ka një pozicion më të mirë në krahasim me rajonin. Megjithatë, raporti i sapo publikuar nga Reporterët pa Kufij tregon një rënie alarmante për 19 vende nga viti i kaluar. Nevojitet një kthesë”, shkroi Rohde, transmeton Klankosova.tv.
Organizata më e madhe botërore për lirinë e medias, jep një sërë arsyesh për përkeqësimin e lirisë së medies në vend, ku e përmend edhe rastin e Klan Kosovës vitin e kaluar, për të cilin thotë se televizioni ishte “subjekt i sulmeve administrative nga qeveria”.