Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka paralajmëruar se do ta rrëzojë qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu nëse anulohet sulmi i planifikuar ushtarak në Rafah të Gazës.
Bëhet e ditur se paralajmërimi i Smotrich vjen mes përpjekjeve në Egjipt për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe një armëpushim të mundshëm.
“Marrëveshja egjiptiane është një kapitullim poshtërues dhe u jep nazistëve fitore në kurrizin e qindra ushtarëve që ranë heroikisht në betejë”, tha Smotrich duke iu referuar Hamasit si “grup nazist”.
Sipas ministrit, kjo marrëveshje do të përfaqësojë “dënim me vdekje për pengjet dhe rrezik ekzistencial për shtetin e Izraelit”, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
“Nëse Netanyahu dorëzohet dhe e tërheq urdhrin për pushtimin e Rafahut, një qeveri e kryesuar nga ai nuk do të kishte më të drejtë të ekzistojë”, tha Smotrich.
“Marrja e Rafahut është thelbësore për shkatërrimin e Hamasit, rivendosjen e sigurisë përgjatë kufirit Izrael-Gazë dhe kthimin e pengjeve”, shtoi ai duke i bërë thirrje Netanyahut të tregojë guxim.
Ndryshe, qeveria e Netanyahut po përpiqet të bie dakord për një armëpushim me Hamasin përpara se të urdhërojë trupat të futen në Rafah.
Së fundmi, Hamasi ka njoftuar se do të shqyrtojë propozimin e izraelitëve dhe do të dal me një përgjigje brenda 48 orëve.