Sipas një artikulli të gazetës ‘Wall Street Journal’ të publikuar të shtunën, agjencitë amerikane të zbulimit kanë dalë në përfundimin se ndoshta presidenti rus Vladimir Putin, nuk ka urdhëruar vrasjen e politikanit opozitar Aleksei Navalnit në muajin shkurt ndërsa ai ndodhej në një burg në Arktik.
Aleksei Navalni, vdiq në moshën 47 vjeçare. Ai ishte kritiku më i fortë në vend i Vladimir Putinit. Aleatët e tij, të cilësuar si ekstremistë nga autoritetet, akuzuan presidentin rus për vrasjen e tij dhe kanë thënë se do të ofrojnë prova për të mbështetur pohimet e tyre.
Kremlini ka hedhur poshtë çdo përfshirje në vrasjen e Aleksei Navalnit. Muajin e kaluar, Vladimir Putini e quajti vdekjen e politikanit opozitar diçka “të trishtueshme” duke shtuar se ai ishte gati ta shkëmbente atë me Perëndimit me kushtin që zoti Navalni të mos kthehej më në Rusi. Aleatët e zotit Navalny kanë thënë se ishin duke u zhvilluar bisedime mbi këtë çështje.
Në shkrimin e saj gazeta ‘Wall Street Journal’ citonte persona të paidentifikuar që ishin në dijeni të raportit të agjencive amerikane të zbulimit, që sipas tyre kishin arritur në përfundimin se Vladimir Putini ndoshta nuk kishte urdhëruar që zotit Navalni të vritej.
Gazeta shkruante më tej se me këtë përfundim Uashingtoni nuk po e shfajësonte udhëheqësin rus nga përgjegjësia e përgjithshme për vdekjen e zotit Navalni, duke pasur parasysh se politikani opozitar kishte qenë për vite me radhë në shënjestër të autoriteteve ruse, ishte burgosur nën akuza që Perëndimi i ka cilësuar si të motivuara politikisht, si dhe ishte helmuar në vitin 2020, me një agjent nervor.
Kremlini mohon përfshirjen e shtetit në helmimin e vitit 2020.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të shtunën se kishte lexuar artikullin e gazetës, duke shtuar se ai përmbante “spekulime boshe”.
“Nuk mendoj se është material me cilësi të lartë që meriton vëmendje“, u tha ai gazetarëve kur u pyet për këtë çështje.
Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ njoftoi se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur njoftimin e gazetës, që citonte burime sipas të cilave, gjetjet ishin “pranuar gjerësisht brenda komunitetit amerikan të zbulimit dhe ishte ndarë nga disa agjenci, përfshirë Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA-n), Zyrën e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar si dhe Njësinë e Zbulimit në Departamentit të Shtetit”.
Të njëjta burime i thanë gazetës se vlerësimi amerikan u bazua në një sërë informacionesh, disa prej tyre të klasifikuara, si dhe në një analizë të fakteve publike, përfshirë kohën e vdekjes së zotit Navalni dhe tek mënyra se si ngjarja sfumoi rizgjedhjen e zotit Putin në mars.
Gazeta citonte gjithashtu një ndihmës i lartë të zotit Navalni, Leonid Volkovin, i cili i quajti gjetjet e zbulimit amerikan, naive dhe qesharake./VOA