Szunyog fton Kosovën dhe Serbinë që pa vonesa ta zbatojnë marrëveshjen për normalizim të raporteve

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka marrë pjesë në Dialogun e Sigurisë në Budapest të Hungarisë.

Ai ka deklaruar që aty ka folur për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Ripërsërita që e ardhmja e Kosovës pa kurrfarë dyshimi është në bashkësinë tonë dhe shtova që në jemi të gatshëm që të vazhdojmë ta ndihmojmë atë të ecë përpara në BE dhet ë përdorë mundësitë që procesi i zgjerimit ofron”, ka shkruar Szunyog, transmeton KlanKosova.tv.

Ambasadori evropian ka folur edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku dhe ka bërë thirrje për të dyja vendet që t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara.

“Kam theksuar se rruga evropiane si për Kosovën edhe për Serbinë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE dhe normalizimit të marrëdhënieve. BE pret që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen e arritur të normalizimit dhe ta zbatojnë aneksin pa vonesa dhe parakushte”.

Ndër të tjera ai ka theksuar se duhet të bëhet përparim në reformat për rend dhe ligj, të drejta të njeriut, ekonomi  dhe funksionim demokratik të institucioneve.