Disa universitete në Shtetet e Bashkuara po përballen çdo ditë me protesta pro-palestineze. Studentët po demonstrojnë kundër luftës mes të Izraelit dhe Hamasit dhe kërkojnë që ndihmat humanitare të lejohen të arrijnë në Gazë. Ndërsa disa studentë dhe demonstrues janë arrestuar, duket se protestat nuk po shuhen.
Studentët pro-palestinezë protestojnë në Universitetin ‘Columbia’ në Nju Jork ndonëse administratorët bëjnë thirrje për heqjen e tendave që kanë ngritur protestuesit. Negociatat se si të shpërndahet turma janë duke u zhvilluar.
Javën e kaluar më shumë se 100 studentë u arrestuan në universitete në të gjithë vendin. Protestat po mbahen në një kohë kur administratorëve të shkollave u kërkohet të marrin masa kundër antisemitizmit.
Protestat kanë vazhduar të përhapen edhe në universitetet e tjera. Të martën, një kamp me tenda u ngrit në Universitetin e Kalifornisë, ‘Berkeley’ në shenjë mbështetjeje për të arrestuarit e një dite më parë në universitetet ‘Columbia’ dhe ‘Yale’.
Në Uashington, studentët në Universitetin Amerikan protestuan kundër politikave të brendshme që ata thonë se rezultuan nga demonstratat pro-palestineze në mbarë vendin dhe tani kufizojnë lirinë e tyre të shprehjes.