Zyrtarët ukrainas thanë të mërkurën se një sulm vdekjeprurës me raketa ruse goditi qytetin Chernihiv, në pjesën veriore të vendit.
Guvernatori i rajonit, Vyacheslav Chaus, tha se disa raketa goditën pranë qendrës së qytetit.
“Ka viktima mes civilëve dhe shumë të plagosur”, tha zoti Chaus.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy shprehu ngushëllime për viktimat në mediat sociale dhe përsëriti thirrjen e tij për aleatët që t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa dhe dronë të Rusisë.
“Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Ukraina do të kishte marrë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe nëse vendosmëria e botës për të luftuar terrorin rus do të kishte qenë në nivelin e duhur”, tha Presidenti Zelenskyy. Vendosmëria dhe përkrahja kanë rëndësi”.
Presidenti Zelenskyy, në një fjalim të publikuar të martën në mbrëmje, tha se do të kërkonte një takim të Këshillit NATO-Ukrainë “për të diskutuar mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit, furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe sistemet e tjera përkatëse dhe raketa”.
Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi të mërkurën se kishte shkatërruar një dron ukrainas mbi rajonin Mordovia dhe një dron tjetër mbi Tatarstan.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe homologët e tij nga Grupi i Shtatë vendeve më të zhvilluara në botë do të takohen për bisedime në Itali. Sipas Departamentit të Shtetit, ai do të diskutojë shqetësimet e Uashingtonit për mbështetjen e Kinës për industrinë e mbrojtjes ruse.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve të martën se gjatë muajve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë vëzhguar se si materiale për industrinë e mbrojtjes janë transferuar nga Kina në Rusi. Rusia po përdor ato për të përforcuar industrinë e mbrojtjes dhe për të prodhuar armë që po përdoren në fushën e betejës në Ukrainë.
“Ne jemi tepër të shqetësuar për këtë”, tha zoti Miller.
Shtetet e Bashkuara i kanë komunikuar prej kohësh shqetësimet e tyre Kinës për çdo veprim që mund të mbështesë luftën e Rusisë në Ukrainë, thonë zyrtarët amerikanë. Kjo përfshin jo vetëm mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake, por edhe hapat e ndërmarrë nga kompanitë kineze për të ndihmuar industrinë e mbrojtjes ruse.
“Sekretari planifikon të udhëtojë në Kinë në javët e ardhshme”, shtoi zoti Miller. “Kjo është një çështje që ai pritet ta diskutojë”./ VOA