Ministri i Punës dhe Politikës Sociale në Qeverinë Teknike, Gjoko Velkovski, doli sot me të dhëna se në periudhën nga qershori i vitit 2022 deri në muajin e kaluar, në emër të ndihmës sociale u janë paguar mjete të kundërligjshme mbi 1000 qytetarëve. Me këtë, siç tha Velkovski, buxheti i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) është dëmtuar për 155 038 530 ose mbi 2,5 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
Velkovski thotë se aktualisht janë hartuar dhe miratuar 1134 vendime për ndalimin e ndihmës minimale të garantuar dhe sigurimit social me ndalim të ushtrimit të së drejtës në 12 muajt e ardhshëm.
Qytetarët, tha ai, kanë të drejtë në mjet të rregullt juridik tek autoritetet e nivelit të dytë dhe vetëm atëherë qendrat për punë sociale do të lidhin marrëveshje për kthimin e mjeteve të marra padrejtësisht.
“Ata përfituan nga kriza e Covid-it kur u lehtësuan kushtet për shfrytëzimin e të drejtave sociale për posedimin e automjetit të regjistruar dhe në sistem hynë të gjitha mjetet më të vjetra se pesë vjet. Ndonëse kriza e Covid-it ka përfunduar zyrtarisht më 30 qershor 2022, nuk është bërë asgjë për shqyrtimin e rasteve të përdoruesve që posedojnë automjet të regjistruar dhe kanë mbetur në sistemin e mbrojtjes sociale dhe kanë shfrytëzuar të drejtat e tyre të pabazuara”, tha ministri Gjoko Velkovski në konferencën e sotme.
Sipas tij, Ligji për Mbrojtjen Sociale të vitit 2019 dhe aktet nënligjore janë të qarta, ku është përcaktuar qartë dhe saktë se nëse kërkuesi ose përfituesi posedon automjet të regjistruar, nuk mund të ushtrojë dhe të shfrytëzojë të drejtën për ndihmë minimale të garantuar. Prandaj, tha Velkovski, e gjithë kjo shtron pyetjen se çfarë kanë bërë strukturat menaxhuese të ministrisë në këto 18 muaj.
“Më 20 janar 2024 është lidhur në mënyrë elektronike marrëveshja për shkëmbimin e të dhënave për bazat e të dhënave ndërmjet ministrave të atëhershëm Trençevska dhe Spasovski. Shkëmbimi i parë i të dhënave është bërë vetëm më 5 mars 2024, gjë që shtron pyetjen: Pse ka pasur pritje? Dhe çfarë bënte ministrja deri më 20 janar 2024? A jepeshin të dhënat çdo muaj siç e përcakton ligji, apo shkëmbimi i të dhënave me CD ose USB u dërgua në një kohë jo reale, pra me një vonesë prej disa muajsh, gjë që u mundësoi personave që nuk i kanë këto të drejta të futen në sistem. Ende mbetet enigmë pyetja, pse është pritur emërimi im për ministër teknik për të filluar shkëmbimin e të dhënave kur ka mundur të bëhet të nesërmen, e kjo është 10 ditë para emërimit tim për ministër”, tha ministri Velkovski.
Velkovski në mars të këtij viti njoftoi se janë bërë 2.252 pagesa në llogaritë e shfrytëzuesve të ndihmës sociale, të cilët sipas ligjit nuk duhet ta marrin atë. Ai po ashtu tha se edhe disa muaj më parë është vërejtur një pagesë retroaktive e mjeteve, e cila ka hapur dyshime në institucionet nën juridiksionin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS).
Sipas tij, manipulimi është sistematik dhe në të, siç tha ai, me gjasë janë përfshirë disa persona, për të cilët është nisur një inspektim i jashtëzakonshëm, për të zbuluar autorët e këtij krimi miliona dollarësh në MPPS.