Irani ka lëshuar më shumë se 300 raketa dhe dronë drejt Izraelit, duke shënuar herën e parë që Teherani ka nisur sulm prej territorit të vet kundër armikut të tij të përbetuar.
Mirëpo, sulmet e pashembullta të orëve të vona të 13 prillit kanë shkaktuar dëme të kufizuara.
Sulmi ka qenë hakmarrje për sulmet e supozuara izraelite në konsullatën iraniane në Damask të Sirisë, më 1 prill, që kanë lënë të vdekur shtatë komandantë iranianë, përfshirë dy gjeneralë.
Përgjigja e Teheranit besohet se ka pasur synim edhe prezantimin e forcës.
Mirëpo, vëzhguesit kanë thënë se incidenti ka nxjerr në pah kufizimet e Iranit.
Irani e ka konsideruar përgjigjen si detyrim, kanë thënë ekspertët, mirëpo ka qenë i kujdesshëm që me veprimet e veta të mos nxisë një luftë të plotë me Izraelin, skenar që do të mund t’i përfshinte Shtetet e Bashkuara dhe do ta rrezikonte mbijetesën e regjimit të klerikëve iranianë.
“Republika Islamike ndoshta beson se e ka përshkallëzuar situatën – duke shënjestruar direkt territorin e kundërshtuarit – për të arritur te shtensionimi”, ka thënë Farzan Sabet, hulumtues i lartë në Institutin e Gjenevës.
Në të kaluarën, Irani e ka marrë përgjegjësinë vetëm pas kryerjes së sulmeve.
Megjithatë, këtë herë e ka bërë të ditur nisjen e operacionit “Premtimi i Sinqertë” – vetëm pak pas nisjes së dronëve dhe pak orë para se ata të arrinin në Izrael.
“Çështja mund të konsiderohet e mbyllur”, ka thënë misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara, përmes një postimi në X, të njohur më parë si Twitter, edhe para se vala e parë e dronëve të arrinte në Izrael.
Prapëseprapë, sulmi është konsideruar më i madh sesa që e kanë pritur shumë vëzhgues.
“Nuk ka qenë sulm simbolik dhe mendoj se në fund të ditës ka shërbyer për qëllimin që ka pasur: masë parandalimi ndaj Izraelit”, ka thënë Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, me seli në Izrael.
Irani ka dashur të minimizojë dëmet dhe të zvogëlojë mundësitë për hakmarrje izraelite, kanë thënë ekspertët.
Mirëpo, Teherani mund t’i ketë bërë keq kalkulimet, ka thënë Zimmt, sipas të cilit, Izraeli do ta ketë ndjesinë e njëjtë për t’u përgjigjur.
“Pyetja është se çfarë saktësisht mund të bëjë Izraeli për t’u përgjigjur, pa rrezikuar një përshkallëzim të mëtejmë”, ka thënë ai.
Më shumë se çdo gjë, shkalla e sulmit ka qenë për audiencën e brendshme të Iranit.
Televizioni shtetëror iranian IRINN ka transmetuar pamje të njerëzve të mbledhur nëpër shumë qytete duke festuar.
Ky kanal ka transmetuar edhe pamje të paverifikuara në rrjete sociale që kinse tregonin rezultatet e sulmeve iraniane në Izrael.
Të paktën njëra prej videove ka qenë me pamje të vjetra të zjarreve pyjore në Amerikën e Jugut./REL