Biden: Netanyahu po gabon në Gaza

“Qasja e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj luftës në Gaza është e gabuar”. Deklarata e presidentit amerikan Joe Biden thellon edhe më shumë tensionet me Izraelin ndërsa përsëriti qendrimin për armëpushim.

“Unë mendoj se ajo që Netanyahu po bën, është një gabim. Udhëheqësit izraelitë duhet të thërrasin një armëpushim, të lejojnë për gjashtë-tetë javët e futjen e ushqimeve dhe ilaçeve. Unë kam folur me të gjithë, nga sauditët, jordanezët e egjiptianët. Ata janë gati të hyjnë me ndihmat dhe kjo gjë duhet bërë tani”.

Javën e kaluar Biden paralajmëroi se mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së varet nga gatishmëria e Izraelit për të hapur të gjitha pika e kalimit për ndihmat humanitare.

Por bisedimet për javë të tëra kanë dështuar për një marrëveshje armëpushimi ndërsa presioni ndërkombëtar po rritet dita ditës.

Intervista e presidentit Biden u regjistrua të mërkurën e kaluar dhe u transmetua në rrjetin amerikan Univision në gjuhën spanjolle, disa ditë pas sulmeve ushtarake izraelite që vranë shtatë punonjës të ndihmës me World Central Kitchen.

Biden po përballet me presionin e brendshëm mbi Izraelin, ndërsa furnizimet ushtarake duke përfshirë bomba, raketa dhe municione kanë vazhduar pa ndërprerje të dërgohen nga SHBA në Izrael.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Izraeli nuk i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara për datën e fillimit të ofensivës në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Blinken shtoi se zyrtarët amerikanë dhe izraelitë janë në kontakt të vazhdueshëm për t’u siguruar që çdo lloj operacioni i madh ushtarak nuk do të jetë kundër civilëve.

Komentet e Sekretarit të Shtetit vijnë një ditë pasi Kryeministri izraelit Netanyahu tha se ishte caktuar një datë për pushtimin e qytetit Rafah.