Vuçiq për takimin me Macron: Më shumë se dy orë biseduam vetëm për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se gjatë vizitës së tij në Francë, përkatësisht gjatë takimit me presidentin Emmanuel Macron kanë biseduar edhe për Kosovën.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Vuçiq ka theksuar se me presidentin e Francës ka pasur një takim i cili ka zgjatur më shumë se tri orë.

“Mbrëmë ka pasur një bisedë me presidentin Macron, kemi ngrënë darkë dhe më pas kemi qenë vetëm deri në orën 23:15. Jam shumë i lumtur për rezultatet e atyre bisedimeve, sepse mundëm të diskutonim të gjitha aspektet e bashkëpunimit dhe të arrijmë disa marrëveshje konkrete”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Por, ai ka theksuar se më shumë se dy orë kanë biseduar vetëm për Kosovën, por përveç kësaj kanë biseduar edhe për Srebrenicën dhe Ukrainën.

Në këtë drejtim, Vuçiq pretendon se beson se kanë arritur të shpjegojnë qëndrimin e Serbisë.

“Kemi pasur një bisedë edhe për Kosovën, nuk ka qenë një bisedë e thjeshtë, por i jam mirënjohës Macronit që na dëgjoi dhe mendoj se e kupton se për çfarë ramë dakord”, tha Vuçiq.

Veç këtyre, presidenti i Serbisë ka paralajmëruar vizitën e presidentit të Francës në Serbi.

“Pres vizitën e presidentit Macron në Serbi së shpejti, në muajt e ardhshëm”, tha ai.