Shqipëri, i dehur në timon aksidenton rëndë familjen me gjashtë persona në aksin Përrenjas- Qafë Thanë

Një aksident i rëndë është shënuar në aksin Prrenjas-Qafë Thanë në Shqipëri ku gjashtë persona kanë mbetur të plagosur, një prej të cilëve një vajzë 23-vjecare në gjendje kome, në rrezik për jetën.

Familja me gjashtë anëtarë ka ndaluar në ambientet e një lokali, rreth 30 metra larg korsisë së rrugës dhe kanë qenë jashtë mjetit të tyre kur një makinë ka humbur kontrollin dhe ka “fluturuar” mbi kokat e tyre.

Për pasojë 23-vjecarja që e ka zënë mjeti poshtë është në gjendje kome, vajza tjetër 10-vjeçe ka thyer këmbën e po ashtu fraktura ka pësuar dhe vajza 6-vjecare, të treja motra.

Babai i tyre është plagosur dhe dëmtime ka marrë edhe gjyshja. 44-vjeçari që shkaktoi aksidentin, banues në Peshkopi po ndiqet në gjendje të lirë, thotë policia e Elbasanit ndërsa sipas dëshmitarëve mjeti ka humbur kontrollin pas një parakalimi të gabuar dhe ka fluturuar më pas jashtë rruge.

Burimet i thanë Top Channel se drejtuesi që shkaktoi aksidentin e rëndë nga testet e kryera nga policia rezulton i dehur. Artan Pishkashi, mërgimtar ishte kthyer nga në Shqipëri për një arsye familjare teksa është përballur me këtë aksident të rëndë.

E gjithë familja po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës ndërsa gjendja e 23-vjecares mbetet e rëndë./Top Channel/