Kush do t’i shfrytëzojë pronat e Radoiçiqit?

Pasuritë e sekuestruara të luajtshme dhe të paluajtshme të Millan Radoiçiqit do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, në kuadrin e së cilës është Agjencia.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – pranoi përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur kundër policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Një polic kosovar u vra në atë sulm, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Më 4 prill, gjatë një aksioni në veri të Kosovës, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut – të gjitha këto prona të Radoiçiqit.

“Pasuritë e paluajtshme janë në fazën e vlerësimit dhe ende nuk e kemi vlerën e përcaktuar për to”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Drejtësisë.

Udhëheqësja e kësaj ministrie, Albulena Haxhiu, tha javën e kaluar në një konferencë për media se vila e sekuestruar e Radoiçiqit, që gjendet pranë Liqenit të Ujmanit dhe mbikëqyret nga Policia e Kosovës, do t’i jepet për shfrytëzim këtij institucioni, sapo të ketë një vendim përfundimtar gjyqësor për konfiskim.

Vila, pronë që nuk tjetërsohet?
Në rast se Policisë së Kosovës do t’i jepej për shfrytëzim vila e Radoiçiqit, ky institucion do të përfitonte një pozicion strategjik për ushtrimin e detyrave të tij në veri të Kosovës, konsideron Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë.

“Fakti që është përmendur se [vila] duhet të vihet në shërbim të Policisë së Kosovës, tregon se policia ka nevojë ta ketë një objekt atje dhe ka nevojë që objekti të jetë në një pikë strategjike, për një rol më efikas të këtij institucioni”, thotë Vrajolli.

Por, pa një vendim përfundimtar të autoriteteve gjyqësore, pasuritë e paluajtshme të sekuestruara nuk mund të tjetërsohen, vlerëson Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas tij, paraprakisht, gjykata duhet të sjellë vendim të prerë, i cili do të theksonte se pasuria e caktuar është arritur me vepër penale ose është shfrytëzuar për kryerjen e veprës penale nga personi i caktuar.

“Në rastin konkret, ajo vetëm mund të jepet për shfrytëzim. Por, jo të bartet pronësia apo të tjetërsohet tërësisht, për shkak se kjo gjithmonë duhet të bëhet me vendim të gjykatës”, thotë Makashana për Radion Evropa e Lirë. Se kur do të mund të merret një vendim i tillë, nuk është e qartë.

Armët dhe automjetet në shfrytëzim nga Policia e Kosovës
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, publikoi të enjten në llogarinë e saj në Facebook një listë të pronave të Radoiçiqit, që, sipas saj, janë sekuestruar dhe konfiskuar.

Sekuestrimi nënkupton marrjen e përkohshme të gjërave të luajtshme e të paluajtshme, parave dhe letrave me vlerë, ndërsa konfiskimi nënkupton marrjen e përhershme të këtyre gjërave, në bazë të vendimit të formës së prerë nga ana e gjykatës kompetente.

Ministria e Drejtësisë thotë se “pasuritë që i janë nënshtruar konfiskimit automatik, janë ato që janë përdorur për kryerjen e veprës penale në Banjskë”.

“Në mesin e tyre janë edhe 34 automjete të ndryshme”, sipas kësaj ministrie.

Duke folur javën e kaluar, ministrja Haxhiu tha se me vendim gjykate, këto automjete u janë dhënë për shfrytëzim institucioneve të sigurisë.

“Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat që i ka”, tha ajo.

Pas sulmit në Banjskë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i ekspozoi armët dhe automjetet e sekuestruara, të cilat ishin përdorur për sulmin në Banjskë.

Asokohe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vlera e këtij armatimi është mbi pesë milionë euro.

Me administrimin e armëve të konfiskuara merret kjo ministri dhe Policia e Kosovës, thotë Makshana.

“Disa prej tyre [armëve] i nënshtrohen menjëherë shkatërrimit, por ka prej tyre që i vë në shfrytëzim Policia e Kosovës. Me automjetet, që nuk hyjnë në kuadrin e armëve, merret vendimi në bashkëpunim me institucionet tjera, në këtë rast me Agjencinë [për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara]”, thekson Makshana.

Përderisa autoritetet e Kosovës ende nuk kanë saktësuar vlerën e pasurisë së konfiskuar dhe sekuestruar të Radoiçiqit, ai në Serbi kishte në bashkëpronësi 5 kompani (me vëllezërit Zharko dhe Zvonko Vesellinoviq), ambiente biznesi, një hotel në Kopaonik dhe një vilë në një pjesë elitare në Beograd.

Në tetor të vitit të kaluar, të gjitha aksionet e tij në kompani dhe prona, Radoiçiq ua transferoi vëllezërve Vesellinoviq, të cilët dyshohen për vepra të ndryshme penale në Kosovë.

Aktualisht, Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.

Prej drejtësisë kosovare, për të nuk ka ende ndonjë vendim.

Disa burime i patën thënë Radios Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë në Kosovë do të ngrejë aktakuzë kundër Radoiçiqit në tre muajt e parë të 2024-tës, por diçka e tillë nuk ka ndodhur ende.

REL-i ka marrë vesh nga burime të tjera se hetimet për rastin janë drejt përfundimit.

Ai kërkohet nga gjykatat e Kosovës edhe në lidhje me vrasjen dhe frikësimin e një dëshmitari, ndërsa SHBA-ja e ka futur në listë të zezë për përfshirje në krim dhe korrupsion ndërkombëtar./REL