Petritsch: Marrëveshja Kurti – Vuçiq ka validitet ndërkombëtar

Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, kanë validitet ndërkombëtar, sepse fjala e dhënë e një presidenti apo e një kryeministri para ndërmjetësve ndërkombëtarë, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi.

Kështu tha për Radio Kosovën, diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje.

“Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare. Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe  Ohër, ashtu si më parë, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër. Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij”.

Për Marrëveshjen e Rambujesë të vitit 1999, ai thotë se ka një vlerë historike, transmeton Klankosova.tv.

“Do të thosha se kjo marrëveshje ka një rëndësi të vërtetë historike.  Në radhë të parë për Kosovën, sepse ky ishte hapi i parë i njohjes së saj ndërkombëtare dhe hapi parë i fillimit të shkëputjes nga Beogradi. Siç e dini, në Rambuje, fillimisht kemi negociuar rikthimin e një autonomie të lartë të Kosovës. Por, në paragrafët e fundit të marrëveshjes patëm gjetur një formulë shumë të komplikuar, ku kishim përcaktuar për më vonë mbajtjen e një konference ndërkombëtare, ku do të merrnin pjesë të gjitha palët: Kosova, Serbia, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja,  pra përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe Rusinë, për të diskutuar statusin përfundimtar të Kosovës dhe fatin e saj për të ardhmen. Në marrëveshje, kishim përcaktuar, që pas tre vitesh të respektohej vullneti i popullit të Kosovës përmes organizimit të një referendumi në një anë, dhe në anën tjetër, të merreshin në konsideratë parimet e OSBE-së. Kjo ka qenë pika më e rëndësishme të cilës i përmbahemi edhe sot e 25 vjet më pas, sepse në sfond marrëveshja kishte qëllim heqjen e sovranitet të Serbisë mbi Kosovën”.