Kur Interi mund të sigurojë titullin e kampionit në Serie A?

Pasi mposhti Bolognan, Interi tani mban një epërsi prej 16 pikësh në krye të tabelës së Serie A, duke qenë kështu shumë afër titullit të kampionit.

“Nerazzurrët” morën një tjetër fitore të rëndësishme në fundjavë duke trimfuar 1:0, për të regjistruar kështu fitoren e dhjetë rresht në elitën e futbollit italian.

Milani kapërceu Juventusin në renditje duke zënë vendin e dytë pas fitores 1:0 ndaj Empolit, duke përfituar nga barazimi 2:2 i “Zonjës së Vjetër” me Atalantan.

Bologna ende qëndron e katërta në tabelë, me tre pikë më shumë se Roma.

“Sky Sports Italia” analizoi pozicionin aktual të Interit në garën për titull, duke theksuar se skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi duhet të fitojë vetëm pesë nga 10 ndeshjet e mbetura për të siguruar edhe matematikisht “Scudetton” e 20-të në histori.

30 pikë janë ende në dispozicion në këtë fazë të sezonit dhe duke parë diferencën e pikëve, do të duhej një kolaps tepër dramatik për të rrëzuar “Nerazzurrët” nga froni.

Duke supozuar se Interi vazhdon serinë e tyre të fitoreve, si kampion mund të konfirmohet më 21 prill, kur do të përballen me Milanin në “Derby della Madonnina”.