Fitorja e tetë rresht, Arsenali mposht Brentfordin dhe merr kryesimin në tabelë

Arsenali ka regjistruar fitoren e tetë radhazi në Premierligë, duke vazhduar të jetë pa humbje këtë vit në kampionat. Arsenali tani ka marrë edhe kryesimin në tabelë, së paku deri nesër.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të, skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta triumfoi ndaj Brentfordit.

Përballja në stadiumin “Emirates” përfundoi me rezultatin 2:1.

Vendasit kaluan të parët në epërsi me golin e Declan Rice (19′), teksa skuadra mysafire barazoi shifrat përmes Yoane Wissa (45+4′), i cili shënoi pas një gabimi të portierit, Aaron Ramsdale.

“Topçinjtë” e kërkuan me ngulm golin e fitores gjatë pjesës së dytë, të cilin e gjetën përmes Kai Havertz (86′).

Arsenali pas kësaj fitore ka 64 pikë dhe momentalisht është lider në tabelë, me një pikë më shumë se Liverpooli dhe dy më shumë se Manchester City.

Liverpooli dhe Man City do të takohen mes vete nesër (e diel) dhe mbetet të shihet nëse renditja në tabelë do të ketë sërish ndryshime.

Brentfordi ndodhet në pozitën e 15-të me 26 pikë të grumbulluara.