LSDM: VMRO-ja maqedonase bashkëpunon me atë bullgare

Kjo fotografi e kandidates së VMRO-DPMNE-së për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, me eurodeputetin bullgar Andrej Kovaçev, u bë shkas që LSDM të dalë me akuza duke thënë se kjo vërteton bashkëpunimin mes VMRO-së së Maqedonisë dhe asaj të Bullgarisë.

“I shohim edhe fotot e saj me mohuesin e gjuhës, identitetit dhe kulturës maqedonase, Andrej Kovaçev. Siljanovska qëndron me krenari me Kovaçevin, i cili na mohon si popull. Qytetarët presin përgjigje nga Siljanovska. Të nderuar, në DPMNE nuk ka ndryshim, është e njëjta parti që thotë një gjë, tjetër bën, që bën premtime të rreme që nuk i përmbush kurrë”, tha Lidija Tasevska, deputete e LSDM-së.

Reaguan nga VMRO-DPMNE, duke akuzuar LSDM-në për lajme të rrejshme, sepse fotoja që kanë publikuar është e vjetër, nga koha kur Siljanovska kritikonte marrëveshjen me Bullgarinë, gjë për të cilën kishte shkruar vetë Kovaçev.

“Kjo është një foto e Kovaçevit në 2019-tën. Dhe kjo foto është e tanishme, një javë më parë. Vetëm LSD nuk sheh ndonjë ndryshim te vetë Kovaçevi. Pyetja e vetme është nëse ky manipulim nuk është pjesë e marrëveshjes së LSD-së me Kovaçevin? Ne e kuptojmë nervozizmin pas dëbimit nga tubimet europiane dhe nga populli këtu, por kjo nuk do të thotë se ata mund të përhapin lajme të rreme dhe t’i shtyjnë mediat në gënjeshtrat e tyre”, u shpreh Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe edhe VMRO-DPMNE-ja doli me konferencë tjetër plot kritika ndaj kandidatit socialdemokrat për President, Stevo Pendarovski, duke rikthyer në vëmendje një deklaratë të tij se dëshiron ta dëgjojë zërin e popullit, gjë që, sipas DPMNE-së, nuk e bëri, por veproi sipas asaj që thoshte LSDM dhe BDI.