Xhaferi – Haxhiev: Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi ofron mundësi për lidhje të thelluar ekonomike mes Evropës dhe Azisë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka takuar sot sekretarin e përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi, Asaf Haxhiev.

Kryeministri Xhaferi shprehu kënaqësinë nga vazhdimi i dialogut të vendosur me Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi dhe në cilësinë e tij si Kryetar i Qeverisë, konfirmoi bindjen se diplomacia në çdo nivel të qeverisjes, qoftë parlamentare apo ekzekutive, është e domosdoshme në kontekstin aktual të ndërlikuar ndërkombëtar-gjeopolitik, dhe kontribuon në uljen e tensioneve, ndërtimin e besimit dhe gjetjen e zgjidhjeve.

Kryeministri e theksoi rëndësinë e organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi dhe shprehu kënaqësinë e tij për përfitimet e anëtarësimit katërvjeçar të Maqedonisë së Veriut, që nuk nënkupton vetëm anëtarësim në strukturat e organizatës, por ofron edhe mundësinë për një lidhje më të thellë ekonomike midis dy kontinenteve, si dhe tre rajoneve të ndryshme. Ballkani, Kaukazi dhe Deti i Zi. Në këtë drejtim, ai iu referua projekteve strategjike kyçe që kontribuojnë në lidhjen dhe integrimin më të madh të rajonit, duke sjellë përfitime të reja ekonomike për vendet, siç është Korridori 8, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi.

Sekretari i Përgjithshëm Haxhiev, e uroi Kryeministrin Xhaferi për funksionin e ri, duke shprehur kënaqësinë dhe pritjen për vazhdimësi të dialogut të mirë dhe të rregullt të vendosur me Xhaferin si Kryetar i Kuvendit. Haxhiev theksoi se, për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, Maqedonia e Veriut është një vend kyç për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, dhe anëtarësimi në NATO dhe integrimi i nisur në BE ofrojnë një dimension të rëndësishëm shtesë, politik dhe të sigurisë, që është i mirëseardhur për rritjen e dinamikës ekonomike.