Moti me diell dhe me temperatura jo të zakonshme për këtë periudhë të vitit, ka ndikuar në zgjimin e natyrës dhe lulëzimin e pemëve. Nga Drejtoria Hidrometeorologjike bëjnë të ditur se në ditët në vazhdim moti parashikohet të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Ndërsa, në zonat malore mund të ketë kushte për reshje të herë-pas-hershme të dobëta shiu.
DREJTORIA HIDROMETROLOGJIKE
“Nën ndikimin e valës së re me lagështi, të hënën pasdite dhe të martën do të mbajë mot me vranësira, disa vende me reshje shiu. Reshjet do të jenë të dendura dhe të rrëmbyeshme me shtrëngata të rralla. Të martën temperaturat do të jenë në rënie, ndërsa në zonat malore dhe në disa nga vendet më të larta reshjet do të jenë kryesisht të borës”
Ndërkaq nga Drejtoria njoftojnë se në qytetin e Shkupit moti pritet të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Temperatura minimale parashikohet të zbresë deri në 3, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 18 gradë.
Për shkak të valës së ftohtë që do të krijojë kushte për paraqitjen e ngricave të dobëta gjatë mëngjesit, do të ketë pasoja negative për natyrën që tashmë është në fazën e zgjimit pranveror.