A do të largohen Rubio dhe Hegseth pas humbjes në zgjedhje? Shtëpia e Bardhë reagon për zërat që tronditën administratën Trump

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zërat për një riorganizim të mundshëm të administratës së Donald Trump, pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.

Në fokus të spekulimeve janë dy nga figurat më të rëndësishme të kabinetit: sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Mediat amerikane kanë raportuar se të dy mund të largoheshin nga posti.

Por situata e tyre nuk është e njëjtë. Ndërsa largimi i Rubios është mohuar prerazi, fati i Hegseth mbetet i paqartë, për shkak të kritikave të shumta për mënyrën si e ka drejtuar luftën me Iranin.

Trump: Hegseth ka bërë punë fantastike

Sipas mediave amerikane, disa zëra brenda Partisë Republikane kërkojnë zëvendësimin e Hegseth, duke ia faturuar rezultatin e dobët në zgjedhje pasojave të konfliktit ushtarak.

Trump ka pranuar se ka marrë telefonata për të ardhmen e sekretarit të Mbrojtjes. Në një intervistë telefonike për ABC News, ai tha se ka “çdo qëllim” ta mbajë Hegseth në administratë.

Më pas, para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti e lavdëroi punën e tij, duke e cilësuar fantastike. Si arritje ai përmendi operacionet kundër Venezuelës dhe luftën me Iranin, e cila tashmë ka hyrë në muajin e nëntë.

Massie paralajmëron procedurë shkarkimi

Megjithë mbështetjen e presidentit, Hegseth rrezikon një procedurë shkarkimi në Kongres. Republikani Thomas Massie, një nga kritikët më të zëshëm të Trump, ka njoftuar se që në fillim të javës së ardhshme do të aktivizojë rezolutën për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes.

Në një deklaratë për Politico, Massie i bëri thirrje Trump ta zëvendësojë Hegseth para se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar, në mënyrë që Senati të ketë kohë të konfirmojë një kandidat të ri.

Hegseth: Nuk do të tërhiqemi

Hegseth u përgjigj përmes një videoje, në të cilën mbrojti punën e tij dhe sulmoi përpjekjet për ta larguar.

“Na sulmojnë mua dhe ne, sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të tërhiqemi”, deklaroi ai.

Ai e cilësoi nismën për shkarkim si një lëvizje politike pa bazë dhe akuzoi demokratët se po përdorin procedurat institucionale për të goditur kundërshtarët. Si arritje të administratës, Hegseth renditi rritjen e rekrutimeve në ushtri, rimëkëmbjen e industrisë së mbrojtjes dhe heqjen e disa programeve për diversitetin brenda forcave të armatosura.

Rubio: Nga cila punë do të largohem?

Ndryshe nga Hegseth, Marco Rubio i ka hedhur poshtë raportimet se po mendon të largohet për t’u përgatitur për një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Në një intervistë për The New York Times, ai tha se plani i tij ka qenë gjithmonë të qëndrojë në administratën Trump deri në fund të mandatit.

“Më pëlqen puna që po bëj”, tha Rubio, duke iu përgjigjur me ironi spekulimeve: “Unë gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Dhe pyes: Nga cila prej tyre?”.

Edhe Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i kanë cilësuar këto raportime si lajme të rreme.

Ndryshime edhe në krye të ushtrisë?

Ndërkohë, sipas Washington Post, Trump mund të jetë duke menduar edhe për ndryshime në drejtimin ushtarak, përfshirë largimin e gjeneralit Dan Caine, kryetarit të Shtabit të Përbashkët, ose të admiralit Brad Cooper, komandantit të CENTCOM. Të dy kanë pasur rol kyç në këshillimin e administratës për luftën me Iranin.

Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, ku demokratët fituan kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, ka rritur presionin mbi administratën. Vetë Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance e kanë lidhur rezultatin me pasojat e luftës në Iran, duke e kthyer konfliktin në një nga temat kryesore të debatit brenda kampit republikan.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo