Xhaferi: Po punojmë për zgjedhje të lira dhe demokratike

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në intervistën e sotme për Report TV në Tiranë, ku prej sot gjendet në vizitë pune, foli për çështjet aktuale për rajonin, botën dhe në Republikën Maqedonisë së Veriut.

Xhaferi e theksoi përgjegjësinë e Qeverisë që e udhëheq në përputhje me Kushtetutën, si edhe për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme.

“Duke qenë se jemi në një vit zgjedhor për zgjedhjet presidenciale në prill-maj të këtij viti, detyrë shtesë e Qeverisë është organizimi dhe përgatitja e parakushteve që zgjedhjet të jenë të lira, korrekte dhe demokratike. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e njeh termin teknik “i përkohshëm”, përndryshe Kushtetuta e njeh Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut me të gjitha kompetencat që i ka”, tha Kryeministri Xhaferi.

Në intervistë, Kryeministrit Xhaferi iu parashtrua edhe pyetja “kur do të vijë koha për presidentin e vendit”, me ç’rast ai shprehu pritshmërinë se do të ketë ndryshim në perceptimin e përkatësisë etnike, duke i dhënë rëndësi prezantimit të qytetarëve dhe të vendit në përgjithësi.