Osmani: Nëse narrativi pro-rus fiton në zgjedhjet e ardhshme, do hapet “Kutia e Pandorës”

Ministri i Punëve të Jashtme dhe njëherësh kandidat për President i BDI-së, Bujar Osmani thekson se ekziston rrezik i dukshëm që zgjedhjet të jenë vendimmarrëse për kahjen të cilën do ta merr vendi.

Osmani thotë se sondazhet që tregojnë se qytetarët gjithnjë e më shumë po e humbasin besimin në Bashkimin Evropian dhe në këtë kontekst po e rrisin simpatinë ndaj Federatës Ruse është alarmante.

“Nëse ka një ide që na mban të gjithëve bashkë, një ind lidhës për të gjitha bashkësitë etnike, por edhe sociale është ideja për BE. Po e hoqe këtë ide, do të dalin në sipërfaqe këto narrative kundërthënëse që në momente janë edhe konfliktuoze. BE nuk ka qenë i drejtë veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut. Rrugë e gjatë, me pengesa joparimore, kemi bërë kompromise shumë të dhimbshme dhe ekzistojnë frustrime reale autentike të njerëzve. Federata Ruse si funksionon?! Ata nuk ofrojnë alterantivë. Ata vetëm skanojnë frustrimet. I identifikojnë ata, i amplifikojnë dhe i targetojnë për t’i arritur qëllimet e veta. Në Maqedoninë e Veriut ka sondazhe të cilat tregojnë se mbështetja për BE ka rënë deri në 55%. Ka sondazhe të cilat tregojnë se mbi 30% të njerëzve mendojnë se Unioni Euroaziatik është zgjidhje më e mirë për Maqedoninë e Veriut. Dhe këto janë lëvizje tektonike për një vend siç është Maqedonia e Veriut dhe nëse do të ndodhë që ky narrativ pro-rus të fitojë në zgjedhjet e ardhshme, atëherë vërtetë hapet një “Kuti e Pandorës” atje. Ne kemi një parti politike që formalisht në çdo ngjarje të saj e fton Ambasadorin rus dhe ai është prezent dhe kemi një parti të madhe maqedonase nacionaliste, e cila ende ka dilema për raportet ndër-etnike, për Marrëveshjen e Ohrit, për gjuhën shqipe zyrtare, për Marrëveshjen e Prespës dhe për Marrëveshjen me Bullgarinë. Këta tri marrëveshje janë tripodi i Maqedonisë së Veriut veriatlatnike” thotë Osmani në intervistë për Top Channel.

Osmani thotë se Federata Ruse momentalisht paraqet rrezikun më të madh të sigurisë por edhe rrezikun ekzistencial për këtë pjesë të botës ndikimi i Federatës Ruse, e veçanërisht për shkak të dinamikës në Ukrainë.

“Ju e shihni se kohëve të fundit ka filluar edhe një avansim i ushtrisë ruse në Ukrainë. Në epilog jo i mirë në Ukrainë, duhet të jemi gati për stacionin e radhës. Flitet se përgatitet një referendum në Transninstri, në Moldavi, që do të ishte edhe shumë më afër nesh. Ne jemi vend në NATO, është e vërtetë, kjo siguron një ombrellë sigurie, por e shihni që Estonia po ndërton bunker mbrojtës në kufirin e saj me Rusinë dhe Maqedonia e Veriut multi-etnike e cila si lëndë djegëse për përparimin e saj e ka idenë europiane, poqë se do të fitojnë forca të cilat do të bllokojnë progresin europain të vendit, kam frikë se do të krijohen parakushte për një implozion vlerash në Maqedoni të Veriut që do të bëjë një dhuratë më të mirë për Federatën Ruse dhe planet e saja” shprehet Osmani.