Mitreski për vazhdimin e afatit të dokumenteve të udhëtimit: Marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ndryshohen me një ligj tjetër

Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, në pyetjen e gazetarëve nëse shumica në shtëpinë ligjvënëse nesër do ta mbështesë vazhdimin e vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit, u përgjigj se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ndryshohen me një ligj tjetër.

“Sipas informatave që i marr është se ai ligj nuk do t’i zgjidhte problemet dhe se është në kundërshtim me nenin 118 të Kushtetutës në kuptim të asaj se marrëveshjet ndërkombëtare janë pjesë e qarkullimit të brendshëm juridik dhe faktikisht nuk mund të ndryshohen me një ligj tjetër, kështu që vendimi përfundimtar do të kumtohet gjatë ditës”, tha Mitreski.

Shtoi se gjatë ditës së sotme do ta shtojë rendin e ditës për mbledhjen e nesërme për ligjin e dokumenteve të udhëtimit, ndërsa lidhur mbështetjen e deputetëve thotë se vendimet i sjellin vetë grupet e deputetëve.

VMRO-DPMNE opozitare javën e kaluar bëri thirrje për mbështetje nga shumica në pushtet për vazhdim të vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit. Sipas tyre, nevojiten 15 deputetë nga pushteti, të cilët së bashku me deputetët e VMRO-DPMNE-së, do ta votojnë ligjin për vazhdim të vlefshmërisë së pasaportave. Në të kundërtën thotë ata duhet të heqin dorë nga pasaportat e veta diplomatike, me të cilat udhëtojnë pa pengesa, kurdo që dëshirojnë.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski javën e kaluar, ndërkaq, deklaroi se i kotë do të jetë ndryshimi i ligjit me të cilin do të popozohet afati i kohëzgjatjes së pasaportave me emrin Republika e Maqedonisë, sepse kjo duhet të harmonizohet me Greqinë dhe me BE-në. Ai thekosi se Qeveria duhet të sigurojë pajtueshmëri nga vendet-anëtare të BE-së nga pala tjetër nënshkruese – Greqia, e më pas të bisedojë për ndryshim të ligjit.

Në rend dite nesër në shtëpinë ligjvënëse do të gjendet edhe Ligji për lojërat e fatit, të cilin presidenti Stevo Pendarovski refuzoi ta nënshkruajë.

Kryetari i Kuvendit, Mitreski tha se ka vepruar siç është e caktuar me procedurën e rregullores, përkatësisht të vendoset në rend dite në afat prej 30 ditëve nga kthimi i vendimit të presidentit Stevo Pendarovski.

Mitreski shfaqi bindje edhe se nesër do të votohet anëtari i ri i Komisionit shtetëror zgjedhor.

Kryetari i Kuvendit Mitreski, sot mori pjesë në shënimin e jubileut – 80 vjetorit të Ekspeditës së shkurtit dhe vdekjes së heroit kombëtar Kuzman Josifovski Pitu, që u mbajt sot në Shtëpinë e Armatës, në organizim të Këshillit kryesor të Lidhjes së luftëtarëve të LNÇM-së.