Antibixhozi: Sado që ligji të jetë i keq është shumë i mirë për një vend që nuk ka fare, deputetët ta votojnë

Lëvizja Antibixhoz edhe sot ka apeluar te deputetët në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut që ta votojnë Ligjin për Lojërat e Fatit i cili të mërkurën do të jetë para tyre. Antibixhozi kërkon që sa më shumë deputetë ta përkrahin këtë ligj, pasi siç thonë sado i keq të jetë, është përsëri më i mirë për një vend që nuk ka ligje mbrojtëse për bixhozin, transmeton Portalb.mk.

Jushi Emurllai nga kjo lëvizje theksoi se numri i vogël deputetëve që votuan herën e kaluar në favor të këtij ligji, 55 nga 120 është zhgënjyes jo vetëm për Antibixhozin por për të gjithë shoqërinë në Maqedoni të Veriut.

“Bëjmë apel që të vetëdijesohen që ky ligj të kalojë me 61 vota, në vend që të ketë 100 deputetë për këtë ligj pasi është ligji i parë që mbron qytetarët nga lojërat e fatit, prandaj ne kërkojmë me çdo kusht që të fillohet nga diku edhe pse nuk është kërkesa jonë. Kërkesa jonë dihet botërisht se ne kërkojmë mbyllje të të gjithë lojërave të fatit. Sado që ligji të jetë i keq është shumë i mirë në një vend ku nuk ka ligj”, tha Emurllai.

Nga Antibixhozi theksojnë se nga dita e mërkurë, të gjithë deputetët që nuk do ta përkrahin këtë ligj do t’i nxjerrin me foto dhe me emër e mbiemër, ”t’i dijë shoqëria se kush janë ata që e pengojnë këtë ligj”.

Emurllai theksoi që deputetët mos ta përdorin këtë ligj dhe Antibizhozin për çështjet e veta politike.

“Të gjithë partitë politike kanë filluar fushatat, por larg duartë nga Lëvizja Antibixhoz për politikë, në këtë rast për lojërat e fatit”, tha Emurllai.

Më 28 shkurt Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet ta miratojë në lexim të tretë Ligjin për Lojërat e Fatit, i cili nuk hyri në fuqi pasi nuk e nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski. Nëse votohet në lexim të tretë, presidenti detyrohet që ta nënshkruajë ligjin pavarësisht nëse pajtohet ose jo me të njëjtin.

Sipas propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i miratuar me 7 shkurt nga Kuvendi i RMV-së, lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet por kanë kërkuar edhe mbylljen e plotë, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet deri më tani nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.