Sot bëhen 20 vjet nga vdekja e ish-presidentit Boris Trajkovski, i cili e humbi jetën në fatkeqësi ajrore në Rotimlje, në afërsi të Mostarit.
Në fatkeqësinë ajrore që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004 përpos presidentit Trajkovski humbën jetën edhe tetë anëtarë të delegacionit të Maqedonisë, i cili kishte udhëtuar në një konferencë ndërkombëtare në Mostar të Bosnjë Hercegovinës.
Në lidhje me këtë ngjarje janë zhvilluar edhe dy hetime nga dy komisione të ndryshme për të kuptuar nëse ka qenë aksident ajror apo ka qenë “akt terrorist”, prej të cilave dolën edhe dy raporte të ndryshme.
Në të dy raportet, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri, megjithatë, si shkak për rënien e avionit theksohen gabimet e pilotit dhe mangësi të tjera indirekte të sistemit.
Në raportin e parë si shkak kryesor për rrëzimin e avionit janë theksuar “gabime proceduriale në periudhën e aterimit, për nga lartësia dhe nga vendi, në aeroportin në Mostar, në fluturim të kontrolluar”.
Në raportin e dytë janë theksuar edhe disa mangësi sistematike, ndërsa është publikuar edhe transkripti i kutisë së zezë, respektivisht gjithë biseda mes pilotëve dhe biseda me kontrollin e fluturimit.
“Shtatë procedura gjatë fluturimit nga ana e pilotëve dhe pesë gabime sistematike të institucioneve kompetente në Maqedoni dhe në BeH janë shkaqet për rrëzimin e avionit”, citohet në raportin e dytë.