Presidenti i Getafes zbulon prapaskenat: Ishim pranë Guardiolas dhe Messit

Angel Torres, president i Getafe, zbuloi në programin “El Partidazo” të Radio Cope se klubi i tij ishte shumë afër nënshkrimit me me trajnerin Pep Guardiola dhe Lionel Messin.

“Ne ishim në Evropë, unë shkova në short dhe Txiki (drejtori sportiv i Barcelonës) ishte atje dhe më tha se po mendonin që Laudrup të ishte trajneri i Barçës dhe unë thashë se do të flisja me Guardiolan”, tha ai.

“Dhe ai më tha: ‘Fol me të dhe vëllanë e tij’. U takuam një mëngjes në sallën e VIP-ave të aeroportit, por në fund të sezonit gjithçka ndryshoi, Rijkaard u shkarkua dhe në vend të Laudrupit u zgjodh Guardiola. Ai ka qenë i gatshëm të vijë, mund ta konfirmojë”, shtoi Torres.

Për sulmuesin argjentinas, ai shpjegoi: “Isha me Laportën dhe drejtorin sportiv Zubizarreta dhe ata thanë se Rijkaard do t’i jepte minuta. Por ne ishim afër transferimit të Messit. Me mua ishte drejtori sportiv Alfredo Duro. Ishte 18 gusht. Unë kam të paktën 10 fanella të Messit, ai më dërgonte një në vit sepse e dinte se ishte idhulli im”.