Kosova e nis me fitore ciklin e ri kualifikues të Kupës së Botës

Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me fitore raundin e parë parakualifikues për Kupën e Botës 2027.

Të përzgjedhurit e Rami Hadar triumfuan sonte ndaj Irlandës, në ndeshjen e parë të kësaj faze.

Përballja e luajtur sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë përfundoi me rezultatin 83:76.

Drilon Hajrizi me 20 pikë dhe Dardan Berisha me 19 sosh, ishin dy basketbollistët më të dalluar në fitoren e “Dardanëve”. Pikë dyshifërore shënoi edhe Mikaile Tmusic – 11.

Te irlandezët më i dalluari ishte Jordan Blount me 27 pikë.

Kosova ndeshjen e radhës e luan më 25 shkurt, në udhëtim ndaj Azerbajxhanit.

Ndeshjet e radhës të këtij raundi parakualifikues do të luhen në nëntor të këtij viti dhe në shkurt të vitit të ardhshëm.

Të tre fituesit e grupeve së bashku me skuadrën e renditur më të mirë në vendin e dytë do të kalojnë në raundin e dytë parakualifikues të Kupës së Botës 2027 të FIBA-s.