Deputetët e VMRO-së provojnë të kalojnë kufirin me Bullgarinë me pasaportë me emrin e vjetër, reagon Xhaferi

Deputetët Brane Petrushevski dhe Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE kanë shpërndarë një video duke kaluar kufirin midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, me qëllim që, siç thonë ata, të kontrollojnë nëse do të lejohen të dalin nga vendi me dokumente udhëtimi me emrin e vjetër, shkruan Alsat.

Petrushevski thotë se i është lejuar të kalojë me pasaportë diplomatike që nuk është me emrin e ri të shtetit.

“Pa atë nuk mund të udhëtojmë? Nuk e di, provojeni ju. Ne do t’u lëshojmë. Bëhet fjalë vetëm për pasaportë normale, pa atë nuk mund të dalim. Për pasaportat diplomatike nuk ka ndonjë akt tjetër. Por meqë po bëhet fjalë për pasaportë diplomatike. Faleminderit”, tha Petrushevski.

Duke komentuar këtë video, kryeministri teknik Talat Xhaferi tha se një zyrtar nuk duhet të keqpërdor pasaportën diplomatike dhe nëse ka ndodh shpërdorimi atëherë duhet të shkarkohet.

Nga ana tjetër Xhaferi akuzoi ministrin dhe zëvendësin e tij për garë politike me pasaportat.

“Lidhur me informatat që i japin institucionet përkatëse e në veçanti, ministri dhe zëvendës ministri plotësues i MPB-së është e qartë që nuk japin të dhëna të sakta as njëri as tjetri. Fakt është se ka vonesa në furnizimin e formularëve për faktin që firma që i përpunon është me seli në Munih të Gjermanisë dhe është kompetencë e MPB-së të përcjell dinamiken të cilën e ka kontraktuar me atë që ka fituar furnizimin publik”, theksoi Xhaferi.

Më 12 shkurt skadoi afati për dokumentet me emrin e vjetër të shtetit. Nga ajo datë pasaportat janë të pavlefshme për udhëtim jashtë shtetit, ndërsa letërnjoftimet dhe patentë shoferit do të jenë të vlefshme për përdorim të brendshëm. Deri tani rreth një milion e 300 mijë qytetarë janë pajisur me pasaporta me emrin e ri të shtetit.