Ali Ahmeti: Rusia ka hyrë në çdo segment shoqëror, t’i themi JO Rusisë, PO Europës

Ali Ahmeti: Rusia ka hyrë në çdo segment shoqëror, t’i themi JO Rusisë, PO Europës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nëpërmes një video mesazhi të transmetuar në “Facebook” i është drejtuar kombit.

Ahmeti ka thënë se jo shpesh vendos që t’ju drejtohet kombit në këtë formë, nga kjo foltore, me kaq shumë paralajmërim dhe me vëmendje të madhe.

Shton se e ka menduar gjatë nëse këtë shqetësim duhet ta ndajë me kombin, sepse deklaron se nuk dëshiron që ti mërzisë qytetarët dhe se të njëjtën nuk do e bënte pa qenë i bindur në këtë që po e thotë.

“Tash është rradha e jonë që të ballafaqohemi drejtpërdrejt. Ariu polar, Rusia po na troket në derë dhe ka ndërhyrë në të gjitha poret e shoqërisë tonë duke destabilizuar institucionet dhe duke e ndikuar skenën partiake në vend. Rusia është prezente në partitë politike në vendin tonë, në mediat tona, në shoqërinë civile, në ekonominë tonë, në infrastrukturën tonë kritike dhe në çdo segment shoqëror, jo vetëm tek ne, por edhe në tërë rajonin tone”, deklaroi Ahmeti.

Thotë se Presidenti Rus Putin, Ministri i Jashtëm Lavrov, deklaruan që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është vija e zjarrit për Rusinë si dhe u rreshtuan kundër anëtarësimit të vendit tonë në eurpë

“Tash jemi dëshmitar të ndërhyrjes masive malinje për të na pamundësuar vazhdimin e rrugëtimit tonë europian dhe rikthimin e izolimit disa-dekadësh që do ta destabilizojë shoqërinë tonë. Maqedonia është vend i vogël në udhëkryq të civilizimeve, me shoqëri të brishtë multikulturore dhe multietnike, akoma e pa konsoliduar tërësisht, elemente këto që janë interes rus për ti shfrytëzuar në mënyrë që të nxisë domino efekt në tërë rajonin dhe ta destabilizojë kontinentin. Ky është kërcënim i vërtet. Prandaj, si asnjëherë më parë, ju ftoj që të bëhëmi bashkë, ju dhe ne, bashkë me të gjithë të tjerët, dorë për dore, sup më sup, krah më krah, ta zhvillojmë betejën e fundit të luftës së përjetshme deri tek fitorja e madhe dhe të themi bashkarisht njëzëri: JO RUSISË, PO EUROPËS!”, tha mes tjerash kreu i BDI-së.