Para Ministrisë së Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut u ngrit flamuri ukrainas

Para Ministrisë së Mbrojtjes mëngjesin e sotëm është ngritur flamuri ukrainas, në shenjë të përkrahjes për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, e në prag të shënimit të dyvjetorit nga fillimi i pushtimit rus, që nisi më 24 shkurt të vitit 2022.

Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, në aktin e ngritjes së flamurit kanë marrë pjesë ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe ambasadorja ukrainase në Maqedoninë e Veriut, Larisa Dir.

“Maqedonia e Veriut vazhdon tërësisht ta përkrah Ukrainën në luftën për sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. Deri tani Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë 12 vendime për ndihmë ushtarake dhe humanitare dhe u zbatua stërvitje e ushtarëve ukrainas në Krivollak”, thuhet në kumtesë.

Kjo përkrahje, siç thonë nga Ministria e Mbrojtjes, do të vazhdojë edhe më tej, e kjo u konfirmua edhe nga ana e ministres Petrovska në takimin e Këshillit NATO – Ukrainë, që u mbajt në selinë e Aleancës në Bruksel në kohë të takimit të javës së kaluar ministror të Këshillit veriatlantik të NATO-s.