Ligji i mediave kalon filtrin në komision

Ligji për media më në fund u zhbllokua në procedurën parlamentare e cila ka nisur që nga nëntori i vitit të kaluar. Komisioni për çështje evropiane procedoi ligjin në seancë plenare megjithatë jo në versionin që ishte dakorduar më herët me përfaqësuesit dhe shoqatat e mediave.

Ligji parashikon ndarjen e 0.1% nga buxheti i shtetit, që do të kapë vlerën prej 0.1% për fushata shtetërore të porositura nga institucionet, që do të kenë qëllime edukimi ose informimi.
Pavarësisht se përqindjet ishin ndryshe në propozim, komisioni për çështje evropiane në versionin final vendosi që televizionet shtetëror me transmetim tokësor do të marrin vetëm 40% të këtij buxheti, në vend të 65% që ishin parashikuar më herët.

40% po ashtu do të ndahen dhe për televizionet e nivelit shtetëror që transmetojnë nëpërmjet operatorëve elektronik dhe formave satelitore, në vend të 25% që ishin parashikuar fillimisht.
15% planifikohet të ndahen për televizionet lokale dhe rajonale dhe 5% për radiot.

Sipas ligjit, temat që lidhen me veprimtaritë politike dhe diplomatike, temat që promovojnë shërbimet ose politikat e organeve të pushtetit shtetëror ose vendor ose temat që lidhen me veprimtaritë partiake nuk lejohen në fushatën shtetërore dhe gjatë zbatimit të fushatës shtetërore nuk mund të përdoren emrat e partive politike, sloganet partiake, simbolet apo shenjat, për t’iu referuar aktiviteteve të partive politike.

Mjetet e marra nga fushatat shtetërore në nivel shtetëror, sipas propozimit, mediat i shfrytëzojnë për digjitalizimin dhe avancimin e procesit të punës, si dhe për përmirësimin e standardit dhe kushteve të punëtorëve mediatikë.

Propozimin në komision e mbështeti shumica parlamentare.